Bullizmi, shifra të frikshme e përdorimit të dhunës te adoleshentët

0
118

Nga Maura Linadi/

Një grup të rinjsh, gjimnazistë pjesëtarë të Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë, kanë kryer për disa ditë me rradhë një anketë në gjimnazet e Tiranës dhe jo vetëm, përsa i përket fenomenit social te bullizmit. Sot, në ditën ndërkombëtare të bullizmit , kjo anketë synon të japë një panoramë të përhapjes së këtij fenomeni mes të rinjve si dhe të nxjerrë në pah se sa të informuar janë ata.. Anketa ështe zhvilluar tek të rinjtë e grupmoshës 15-18 vjec, të gjithë gjimnazistë.

Termi ‘bully’ nënkupton ngacmimin e manifestuar në forma të ndryshme duke përdorur forcën fizike ose ndikim psikologjik për të frikësuar dikë të konsideruar të ” ndryshëm”. Në mënyrë tipike përdorimi i epërsisë fizike për të detyryuar viktimën e bullizmit që të bejë atë çka do “ngacmuesi”. Një ndër format më të përhapura është përdorimi i dhunës verbale dhe/ose emocionale ndaj viktimes, shprehje të tilla për ta vënë viktimën në lojë në sytë e të tjerëve, duke përhapur thashetheme anembanë shkollës, përjashtimi nga grupi dhe izolimi në vetvete të viktimave. Karakteristikë e bullizmit është ushtrimi i vazhdueshëm i një prej formave të dhunës për një kohë të gjatë.

Rezultatet e anketës ishin vërtetë interesante dhe tregon shumë mbi këtë fenomen,që nga marrja e informacionit e deri tek rastet konkrete të prezencës së tij në këtë grupmoshë. Të rinjte u pergjigjën 33 pyetjeve drejtpërdejtë dhe përmes rrjeteve sociale. Disa nga rezultatet ishin këto:

89.2% e gjimnazistëve të pyetur u përgjigjën se kishin dëgjuar mbi fenomenin e bullizmit dhe 19% ishin viktima të shpeshta të tij, ndërkohë që po t’i shtojmë edhe numrin e atyre që kishin qënë viktime të paktën një herë, kjo shifër shkon në 38%. Një nga karakteristikat e bullizmit ështe edhe vënia në lojë dhe përqeshja. 46% e të anketuarëve e pranojnë se kane qënë viktimë e kësaj. 8% pranojnë se kanë shkuar deri në konflikt fizik dhe 48.5% janë sulmuar verbalisht. Të gjendur përpara këtij fakti, 35% e viktimave të bullizmit janë detyruar të bëjnë gjëra kundër dëshirës së tyre për t’i shpëtuar këtij fenomeni.

Pyetësori është orientuar edhe drejt raportimit të rasteve ku gjimnazistët kanë qënë deshmitarë të ushrimit të bullizmit ndaj shokëve të tyre. 35% e tyre mendojne se të tjerët kanë bërë gjëra kundër dëshirës së vetë për t’i shpëtuar bullizmit dhe 86% e të pyeturve shprehen se ka patur konflikt fizik ndërmjet të rinjve, shifër e njëjtë kjo me atë të sulmeve verbale.

Personat shkaktarë të fenomenit te bullizmit janë ne shumicë dërrmuese 95% ose të rinj të së njëjtes moshe me viktimën, ose më te mëdhënj se viktima. Problemi vazhdon të qëndrojë tek raportimi i rasteve, ku vetëm 40% tregojnë se ka ndodhur ky fenomen. Arsyeja kryesore përse ndodh bullizmi mendohet të jetë pamja e jashtme. Kështu përgjigjen 80% e të anketuarëve. Vetëm 32% e të pyeturve pranojnë se kanë shkaktuar bullizem, nderkohë që 51% e rasteve të bullizmit ndodhin virtualisht, përmes rrjeteve sociale. Frika se dikush mund të të talle apo injorojë , shpërfillë apo edhe të godasë, ekziston tek 38% e të rinjve gjimnazist dhe 75% e nxënësve e shohin si fenomen në rritje.

Fenomeni i bullizmit është një fenomen në rritje në vendin tonë dhe kurrë nuk i është dhenë rëndësia e duhur për ta trajtuar dhe vënë nën kontroll. Është justifikuar si veprime sporadike të moshës që ndodhin mes fëmijëve, duke mos marrë parasysh pasojat e mundshme për të dyja palët. Bullizmi kërkon një trajtim të vecantë nga institucionet përkatëse në menyrë që të mos shkaktojë problem në formimin dhe rritjen e brezit të ri në vend dhe në edukimin e tyre. Shqetësues është fakti i përdorimit të dhunës psikologjike ndërmjet adoleshentëve, e manifestuar nga grupe të caktuara djemsh të “fortë”, të cilët frikësojnë dhe shantazhojnë viktimat për ti marrë para apo sende me vlerë. Rreziku qëndron edhe në faktin se ky fenomen mund të sjellë edhe raste të vetvrasjeve apo goditjeve me pasojë fatale si ngjarja në Dibër ku një djalë përfundoi në koma pikërisht për këtë arsye.

Ky fenomen duhet të merret në konsideratë në mënyrë të menjëhershme nëpërmjet zgjidhjeve të ndryshme që mund të japë bashkia apo komuniteti, si për shembull krijimi i një sistemi reference me një rrjet vullnetarësh që angazhohen për këtë çështje. Fushatat e ndërgjegjësimit duhet të bëhen të detyrueshme dhe të shpeshta nga Ministria e Arsimit dhe duhet të zënë hapësirë mediatike si dhe të shpërndara në terren nëpër mjediset e shkollave.

Struktura e FRESSH të gjimnazeve do të vazhdojë ta trajtojë këtë çështje duke qenë aktive në mediume, e shumë shpejtë do të vijë me aktivitete konkrete në hapësirat komunitare për të sjellë në qendër të vëmendjes këtë fenomen e për të ndihmuar sado pak në eleminimin e këtij problemi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here