Home >> Blog,Lajme >> Ekipi i ri drejtues i FRESSH falenderon 25 mijë votuesit në garën e paprecedentë kombëtare
Ekipi i ri drejtues i FRESSH falenderon 25 mijë votuesit në garën e paprecedentë kombëtare

Ekipi i ri drejtues i FRESSH falenderon 25 mijë votuesit në garën e paprecedentë kombëtare

   Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave për garën e kryetarit të FRESSH-it, skuadra finaliste ka dalë sot në një deklaratë të përbashkët për mediat.

Tashmë një skuadër e vërtetë, të 8 të rinjtë kanë falenderuar 25 mijë anëtarët e FRESSH-it për pjesëmarrjen në votime duke përsëritur se ata do të jenë të gjithë bashkë për të dhënë maksimumin për FRESSH-in, çdo ditë, si një trup i vetëm.

Siç ka ndodhur  që ditën e parë të kësaj gare brenda FRESSH, 8 finalistët kanë shprehur gjithmonë angazhimin se kryesore në këtë proces është zgjerimi i forumit dhe forcimi i tij. Ky rrugëtim e arriti qëllimin e tij kryesor duke e rritur FRESSH-in në rreth 41 mijë anëtarë, si dhe duke nxjerrë sot ekipin e ri drejtues.

Të 8 finalistët, kryetari i ri Eljo Hyska, 2 nënkryetarët Shpati Kolgega dhe Elsamed Mukaj, si dhe 5 anëtarët e kryesisë, Ana Abdi, Erjo Mile, Marinela Rukia, Jonida Spaho dhe Ermal Petushi, tashmë kanë përpara sfidën e zgjedhjeve për kryetarët e FRESSH-it në 61 bashkitë e vendit.

Ekipi i FRESSH-it, me 8 drejtuesit e rinj, do të jenë lokomotiva drejt fitores së zgjedhjeve në 2017-tën. 

Më poshtë prononcimet e secilit prej 8 kandidatëve:

Ana Abdi: Përshëndetje të gjithëve! Ju falenderojmë të 25.000 votuesve që na kanë votuar dhe për pjesëmarrjen ditën e djeshme. Jemi shumë të lumtur nga procesi. Falenderojmë të gjithë ata që patën mundësi të shprehin votën dhe vullnetin e tyre. Urime kryetarit Eljo Hyska! Ne 7 të tjerët do jemi këtu për t’ju përfaqësuar denjësisht dhe përpara kemi të gjithë bashkë një rrugë shumë të gjatë, me platformat që do të bashkohen, për t’ju përfaqesuar denjësisht në kreun e FRESSH-it.

 

Erjo Mile: Përshëndetje! Pas këtij rrugëtimi të gjatë, pak të lodhshëm por të bukur, doja të falenderoja gjithë votuesit dhe mbështetësit e mi duke përfshirë këtu edhe stafin. Falenderoj dhe 25.000 votuesit e FRESSH-it që treguan edhe një herë se FRESSH-i është forumi më i madh rinor në Shqipëri. I uroj shumë suksese mikut tim Eljo Hyska në detyrën e tij të re, por kam zënë gjithashtu 7 miq që do të punojmë dhe do ta çojmë FRESSH-in përpara. Shumë faleminderit!

 

Marinela Rukia: “Fressh Voice” ishte një proces ripërtëritës, i cili zgjati 6 muaj dhe nxorri 8 kandidatë. Të 8 bashkë do të jemi një ekip i cili do të jetë faktor për fitoren e PS-së në vitin 2017. I uroj fitoren dhe suksese shokut tonë Eljo Hyska dhe së bashku do të bëjmë që forumi të rritet çdo ditë e më shumë. Do ta Rilindim FRESSH-in.

 

Jonida Spaho: “Fressh Voice” ishte një platformë e panjohur më parë e cila startoi në mars të këtij viti dhe përfundoi dje me zgjedhjet “një anëtar-një votë”. Një platformë e panjohur më parë, e cila ishte një provë e gjallë që tregon se PS-ja beson tek promovimi i të rinjve në publik dhe beson tek gara e ndershme. Unë u jam shumë mirënjohëse gjithë atyre që më mbështetën me votë por edhe moralisht, por gjithashtu dua të falenderoj 25.000 votuesit që ishin pjesëmarrës në këto zgjedhje. Gjithashtu dua t’i uroj suksese kryetarit Eljo Hyska por dhe 2 nënkryetarëve Shpati Kolgega dhe Elsamed Mukaj. Dua t’u them që kjo ishte fitorja e parë e FRESSH-it. Ne kemi akoma sfida më të rëndësishme përpara, siç është ajo e vitit 2017, e ne jemi këtu që bashkë me ju, 40 e ca mijë anëtarë, të jemi faktor i fitores së zgjedhjeve të ardhshme. Faleminderit!

 

Elsamed Mukaj: Përshëndetje të gjithëve! Ditën e djeshme treguam që PS-ja dhe FRESSH-i është e vetmja parti dhe forum që kanë demokraci të brendshme, ku dje u zbatua për herë të parë parimi “një anëtar-një votë” për zgjedhjet e një forumi rinor. Dje votuan 25.000 anëtarë duke treguar që të rinjtë e PS-së kanë dëshirë të marrin pjesë në procese duke i vlerësuar ato. “Fressh Voice” ishte një risi në Shqipëri. Dje ka qenë një ditë shumë e qetë zgjedhore dhe ishte një ditë ku kishte vetëm mirëkuptim, dhe gjithashtu ishte një garë mes 8 miqsh. I uroj suksese kryetarit të ri dhe shpresoj që të 8 së bashku të arrijmë të kemi sukses duke e bërë FRESSH-in forumin më të madh e forumin më të suksesshëm në Shqipëri, e gjithashtu duke ndikuar në fitoren e zgjedhjeve në 2017. Urime dhe Shpatit si nënkryetar! Procesi jonë do të vazhdojë me zgjedhjet në FRESSH bashki dhe pastaj me kongresin e FRESSH-it që do të mbahet në dhjetor. Faleminderit!

 

Ermal Petushi: Përshëndetje! Ka qenë një fushatë  e lodhshme ku kemi harxhuar  shumë nga energjitë tona dhe jam i lumtur që ky proces përfundoi me sukses. Procesi ishte i paprecedentë ku 25.000 anëtarë votuan përmes parimit “një anëtar-një votë”. KQZ-ja ka bërë një punë të shkëlqyer dhe drejtoi një proces të drejtë , transparent , korrekt dhe nuk pati asnjë incident; shembullor me një pjesëmarrje më shumë nga ajo që prisnim. Mbi 80% e të rinjve treguan që e duan FRESSH-in . Nuk përtuan të vijnë të votojnë në zgjedhjet tona , ndryshe nga zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme. Kjo është demokraci dhe demokracia zgjodhi kryetarin z. Eljo Hysko. Urime kryetarit të ri dhe dy nënkryetarëve Shpatit dhe Elsamedit! Falenderoj plot 387 votuesit e mi, mbështetësit  e mi që më dhanë besimin e tyre. Sfida jonë e radhës do jetë zgjedhja për kryetarët FRESSH-it nëpër rrethe, nëpër bashki. FRESSH-i, besoj do jetë një  faktor kryesor në fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet  e ardhshme. Ju falënderoj!

 

Shpat Kolgega: Përshëndetje të gjithëve! Sot është një ditë shumë e bukur për Fressh-in, është një ditë ku të gjithë ne, të  rinjtë eurosocialist, jemi zgjuar më shumë , më të fortë , me një proces demokratik , me një proces i cili pati një rrugë shumë të gjatë dhe u finalizua ditën e djeshme me zgjedhjen e kryetarit të ri të FRESSH-it. Doja t’i uroja suksese në detyrën e tij të re dhe ti kërkoja të ngrihej në lartësinë e të gjithë zemrave të FRESSH-istëve , fuqisë së FRESSH-istëve dhe idealeve që ata kanë. Unë sot doja të falenderoja të gjithë ata të rinjë, në të gjithë Shqipërinë, të cilët më mbështetën, t’i falenderoj një për një në të gjitha bashkitë ku ata më mbështetën , ku më votuan , më deshën dhe ku bënë maksimumin që ne te dilnim sa më mirë, jo vetëm unë personalisht por  i gjithë FRESSH-i . Gjithashtu do të doja t’ju thoja të gjithëve që unë jam shumë krenar  për gjithë të rinjtë anë e mbanë Shqipërisë , vecanërisht për të rinjtë eurosocialistë, të cilët kanë qenë në një rrugë të gjatë me mua dhe sot kanë finalizuar një proces dhe jemi në fillimin e një procesi akoma më të madh, i cili do të na cojë edhe në zgjedhjet e vitit 2017. Unë jam shumë i lumtur dhe jam akoma në një garë në të cilën isha më parë dhe luftova për një model ndryshe, dhe kjo garë e ky mision nuk ka përfunduar akoma. Unë do të vazhdoj rrugën tim në të gjithë procesin vendimmarrës të FRESSH-it dhe Partisë Socialiste. Gjithashtu do të doja t’ju falenderoja që të gjithëve për mundësinë që na dhatë dhe t’ju kërkoja që ta vazhdojmë të gjithë bashkë këtë rrugë të cilën sapo kemi filluar. Ju faleminderit!

 

Eljo Hyska: Përshëndetje të gjithëve! Dua të falenderoj 7 kolegët e mi për këtë garë të mrekullueshme që kanë dhuruar. Kam mësuar shumë prej tyre, kam mësuar shumë nga mbështetësit dhe jam i bindur që të gjithë së bashku do të formojmë një ekip fantastik. Dua të falenderoj 25.000 votuesit e FRESSH-it që dje treguan se jemi forumi më i madh, më i hapur e më demokratik në vend. Pa dashur të zgjatem shumë, dua t’ju siguroj që të 7 së bashku, duke marrë më të mirën nga platformat e gjithsecilit, do të ndërtojmë një ekip fantastik i cili do të përfaqësojë jo vetëm FRESSH-in denjësisht, por çdo të ri dhe çdo komunitet në Shqipëri. Ju faleminderit dhe do të shihemi në ditët në vijim!

 

the author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Top