Një mike e FRPD…

0
41

Nga Elson Çeliku/

Kur një mike nga radhët e FRPD më thoshte në 2015 se Voltana Ademi nuk është zgjedhja e duhur për Shkodrën, mendova se vajza e re demokrate fliste nga mllefi si pjesë e një klani brenda të djathtëve.

Nuk u desh shumë që koha t’i jepte plotësisht të drejtë mikes time në FRPD. Shumë shpejt tashmë në syrin tim si qytetar i Shkodrës dhe jo si një i ri i FRESSH kryetarja e bashkisë Shkodër rezultoi një dështim i madh për të gjithë ne.

Ndodhesha në sallë në takimin e dy kandidateve të askohe Bazhdari-Ademi kur kjo e fundit fliste me një emocion politik për të rinjtë, politikat, edukimin, zgjidhjen e problemeve sociale e deri tek mbështetja e të rinjve që bëhen sipërmarrës të bizneseve të vogla. Në fund të asaj dite plot premtime të Voltana Ademit u nënshkrua edhe kontrata sociale duke u cilësuar si një bast i të dyja kandidatave në mandatin e ardhshëm pavarësisht se kush do fitonte.

Fati e desh që Ademi të fitojë zgjedhjet ndërsa të gjithë, aq më tepër ne që ishim në fushatë në një sallë me Ademin prisnim realizimin jo të ndonjë mrekullie se fundja të djathtët e kishin treguar veten për 24 vite me radhë në Shkodër por të paktën dhënien jetë të premtimeve të asaj që la mandatin e deputetes për t’u bërë kryebashkiake e një qyteti si Shkodra.

Sot kur flasim për atë çfarë ndodh në Shkodër me qeverisjen ndaj të rinjve por edhe gjithë qytetit dhe njësive administrative më vijnë çdo herë në mendje fjalët e mikes time të FRPD dhe se sa naiv tregohesha atëherë. Nuk ishte thjeshtë një mungesë besimi por një nuhatje që demokratja shkodrane e kishte pak para të gjithëve. Nuk u desh shumë kohë që jo vetëm ne brezi i ri por edhe qyteteti të paralizohen si shkak i mungesës së politikave të zhvillimit për të rinjtë dhe qytetin.

Pikat në kontratën sociale thuajse nuk janë zbatuar asnjë, hapja e qendrës së informacionit për të rinjtë siç kryebashkiakja premtonte ka mbetur thjeshtë në mendjen e saj, qendra rinore për të rinjtë ende nuk është hapur ndërsa përflitet se aty ka një abuzim të madh me fondet të atij projekti. Ca të verbër, pjesë e një shoqate u nxorën jashtë në katin sipër Galerisë së Arteve me idenë se do ndërtohej qendra rinore. Qindra mijëra euro dyshohet se janë në lojë ndërsa ende qendra rinore nuk po avancon.

Mundësitë për zhvillimin ekonomik dhe social të të rinjve shkodran mungojnë plotësisht për shkak se bashkia Shkodër ka mbyllur të gjitha dyert. Kryebashkiakes i mjafton që t’i shkojnë pas ca të rinj, militantë të cilët pas orarit zyrtar të punës i gjen në çdo llogore duke shigjetuar punëdhënësen e tyre ndërsa emëruesi është i përbashkët: “na e ka pru shpirtin te hunda mor vlla”.

Të rinjtë shkodran janë të paralizuar sot për sot sepse në qytet nuk funksionon asgjë dhe ata nuk kanë asnjë mundësi. Me dhjetra të rinj të talentuar në fusha të ndryshme të artit shkojnë dëm sepse nuk kanë se ku të drejtohen për formimin e mëtejshëm të tyre pasi mbushin moshën dhe detyrohen të lënë Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Kinemaja, si një prej simboleve të qytetit është kthyer në një kafene të rëndomtë dhe vend takimesh e tubimesh politike me një kontratë me bashkinë copë copë që trashëgohet që në kohën e marangozit kryetar bashkie Lorenc Luka, sot deputet pasi dorëzoi valixhen në duart e Lulzim Bashës, jo një akuzë kjo por një dyshim i fortë në radhët PD.

Bashkia Shkodër nuk i jep asnjë frymëmarrje të rinjve që mund të duan të ndërtojnë diçka të tyren sepse trajtohen në mënyrën më brutale të mundshme dhe për këtë akuzat janë një lumë. Adoleshentë dhe të tjerë të rinj duhet të bredhin vetëm kafeneve sepse mjediset e përshtatshme për ta mungojnë.

Edhe argëtimin e vetëm që mund të kishin rinia Shkodrane Kryebashkiakja zgjodhi ta shkatërrojë. Shkatërroi skuadrën kampione të basketbollit me ca shpikje që nuk shërbejnë asgjë, të njëjtën bëri me ekipin e volejbollit dhe shumë sporte të tjera për të ardhur tek premtimi i vetëm që ka mbajtur siç është rrëzimi i Vllaznisë nga Superliga në Kategorinë e Parë. Ca palestra të rikonstruktuara në shkolla por që nuk janë shtuar në numër janë të papërfillshme nëse shohim se mjediset sportive për të rinjtë janë më shumë se një ëndërr. Do të ishte luks. Për të mos folur pastaj për mungesën totale të zhvillimit të zonave turistike dhe mungesën e atraktivitetin për të rinjtë që mund të shkojnë në Velipojë, Shirokë, Zogaj, zona malore apo lumenjtë Drin e Bunë.

Nëse në qytet jeta gëlon disi dhe të rinjtë e gjejnë veten edhe mes kafeve, në fshatra të rinjtë duhet të mbyllen në banesat e tyre që në orën 19:00 sepse atyre nuk u ofrohet asnjë mundësi. Të gjendur mes një harrese e shpërfillje të tillë atëherë nuk përtojnë që të largohen nga Shkodra drejt vendeve të Europës, qoftë edhe si azilkërkues.

Nuk dua të futem në çështjet e familjes së tyre por ftohja totale e kryebashkiakes me kreun e FRPD Arvid Bushati, i cili prej muajsh nuk është as në postin e këshilltarit të medias në bashki apo ftohjen e ngjashme me shumë të rinj të tjerë demokrat na lë të kuptojmë se Ademi ashtu si kryebashkiakët e tjerë para saj rininë shkodrane e ka thjeshtë si një lodër sa herë vjen fushata elektorale. Kanë kaluar 28 vite dhe ende e vetmja mburrje janë revoltat e të rinjve shkodran në fillim vitet ’90 ndërsa nga atëherë e sot thuajse s’ka asgjë për t’u shënuar. Që atëherë e sot në Shkodër që rininë e ka motorrin e saj ka ndryshuar shumë pak. Nëse në atë kohë liria e fjalës erdhi furishëm bashkë më zgjedhjen pa paragjykime të njerëzve sot nëse guxon të replikosh me kryebshkiaken Ademi përfundon i papunë ashtu siç ndokush e ka pësuar.

Më dhemb ndërsa më vjen edhe të qesh kur shoh se kryebashkikja mundohet të përçajë të rinjtë që ka pas vetes ose t’i mbajë ata gjithë kohën nën tension me idenë se mund të kthehen në spiunë të saj për të ditur se çfarë ndodh në ndonjë zyrë apo me persona që Ademi tashmë nuk i ka më nën kontroll, gjë e cila e mundon forgëlon disi t atë.

Kryebashkiakja ka përhumbur duke harruar se ishte një ndër të plagosurat në masakrën e 2 prillit 1991 në Shkodër ku mbetën të vrarë katër vetë dhe dhjetra të plagosur të tjerë. Na ka kthyer shumë pas në kohë dhe kjo prapambetje sidomos tek të rinjtë do të jetë vështirë që të ndryshojë rrjedhë. Sa herë mendoj dhe shoh goditjen që po i bën të rinjve dhe Shkodrës Voltana Ademi, ajo më sjell në memorie miken timë të FRPD të cilës nuk i zura besë. Askush s’po e ndal në ecjen mbrapsht ndërsa unë dua t’i them kur ka mbetur edhe pak nga fushata elektorale: Rruga e mbarë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here