Samsoni Socialist

0
19

Nga Arnold Grabocka

E mbajmë mend atë historinë biblike të Samsonit dhe Dalilesë, të shprehur nëpër filma, skena teatrale dhe më e rëndësishmja në veprën madhështore të Imzot Fan Nolit, “Israilitë dhë Filistinë”.

Në mos qoftë kështu, një përmbledhje e veprës (urojna Zot për thjeshtëzimin e arketipit tënd) është:

Në kohën kur populli israilit ishte i nënshtruar ndaj zotave filistinë, një familje e këtij përbetimi që nuk mund të kishte fëmijë, vizitohet nga një Ëngjëll i Zotit. Ky Ëngjëll në fakt është vetë Zoti i veshur me teshat e një subordinati hyjnor. Dhe lind prej kësaj ngjizje Samsoni, i cili është jashtëzakonisht i fuqishëm, i përshkuar nga fryma hyjnore, dhe i përbetuar, sipas kulturës së tij, përkundër filistinëve okupatorë.

Dhe përgjatë andrallave të përshkruara prej Librit të Gjyqtarëve (kap. 13- 16), Samsoni i fuqishëm dhe i përbetuar ndaj filistinëve dashurohet me një filistine. Ajo quhen Dalile (Delilah). Dhe Dalileja e tradhton në njëmijë mënyra, derisa e verbon dhe e vdes, dhe merr me vete edhe gjithë prijësit e saj filistinë në këtë andrallë të mallkuar. Në realmin e vdekjes e mugëtirës, aty ku zotat sipërfaqësorë të fesë së rreme anti-krishtere nuk mund të depërtojnë.

Por kjo histori, ose metaforë, është një tjetër.

Samsoni, me gjithë fuqinë e tij të mbinatyrshme të dhënë nga Perëndia, me forcë dhe perfeksion, si ideali i rinisë, deklaron me të madhe se do të pushtojë filistinët, duke kthyer në vend nderin israilit. Thotë se do të shkojë në vendin e tyre, do të bëjë gjestin heroik duke i pushtuar me të vërtetën e Zotin e tij, me idealin e tij, dhe ata do të jenë një komb i përbashkuar.

Por përpara se Samsoni heroik të nisej për betejë në Filistë, përpara se të dashurohej me një filistine e cila do t’i merrte mendjen, një rabin i mençun e paralajmëron. I thotë se Samsoni mund të mendojë se njeh të vërtetën, ose se si të ndryshojë një komb, por e vërteta zakonisht shprehet në trajta të kundërta. Në trajta ilogjike për atë që është i sigurt se e zotëron. Dhe për idealizmat e Samsonit rinor, Rabini shprehet:

“Ashtu flet djalëria, dhe unë kur isha i ri, u thosha shokëve të mi. Neve të gjithë dimë të vërtetën, dhe do t’ia mësojmë botës. Na vinte çudi si asnjë para nesh s’e bëri këtë mejtim. Pas 2-3 vjetëshas nuk e kujtonim më seç’ i kishim zotuar botës, se hymë dhe ne në botë, dhe deshnim ndrequr neve më përpara.”

Por Samsoni i shejtë e merr Rabinin e përmotshëm si të marrë. Sipas Samsonit, rinia është ajo çka do të mbjellë të renë, dhe e moçmja është e vjetër. E moçmja, historia, është e sakrifikueshme për revolucionin e madh idealist të rinisë. Harroje historinë.

Ai vazhdon rrugëtimin për Filistë, aty ku gjen në fillim dashurinë me Dalilenë, pastaj tradhtinë, pastaj verbëtinë, pastaj torturën fizike, e në fund vdekjen si sakrificë.

Të njëjtën gjë bëjnë Samsonët tanë socialistë, social-demokratë e demokratë të veshur nën armaturën e ndryshkur socialiste, sot e kësaj dite. Dëgjoj të rinj që dalin përkundër sistemit, për ta gozhduar e shpartalluar, për ta shkatërruar përkundër një rendi të ri kombëtar. Një rend që mbron të varfnit e rrëzon të pasurit. E kemi dëgjuar këtë himn që prej vitesh 1944, prej atyre që injorancën e bënë fuqi, të vërtetën subjekt të revizionit marksist-leninist. E kemi kaluar atë fazë, por duket se historia s’ka qënë mjaftueshëm brutale për të kaluar edhe reflektimin që ndodh pas plagëve të saj.

Dy mësime na lindin.

E reja nuk mund të jetë idealiste. Idealistët dështojnë në momentin që dalin në botë. E reja është vetëm ajo e cila nuk shkatërron tempuj, por ndërton mbi to, nuk vret eksperiencën e etërve, por lartëson ngrhina prej tyre, duke ndarë shapin nga sheqeri dhe të mirën nga e keqja. E reja nuk vret historinë, por ngre mbi të themele.

Rinia duhet të merret me aktivizëm rinor, por vetëm kur të rinjtë që janë pjestarë të këtij aktivizmi kanë arritur të kontrollojnë veten. Kur kanë arritur që, në mos të dinë se kush janë (e kush e di se kush është, e në moshë të thyer), të dinë se çfarë nuk duan të bëhen. Të mos kenë mllef ndaj një klase a një klase tjetër. Të mos kenë eufori e revansh, madje qortim, ngaqë filani u pasurua nga filan afëtsi e tij, ndërkohë që fisteku u shtri në zheg dhe tashmë i varfëruar kërkon të drejtën për të pasur pjesë nga pasuria e filanit.

Sot nuk na duhet Samsoni, rinia e tij e bujshme, forca e tij e pashmangshme që e shtyu në krye të betejës pa një ide solide se si duhej të ishte, a se si duhej ta shpërndante të vërtetën. Sot na duhen ata që në fillim vuajnë gjithë jetën duke përmirësuar veten, dhe pastaj shpresojnë se do të kenë forcën që të ngatërrohen, sadopak, me forcat shoqërore. Kjo duhet të jetë rinia. Një brez që mendon si të përmirësojë veten mes dhimbjes e sakrificës, se bota në mos pret, të paktën nuk vuan jermin e një Samsoni të papjekur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here