Sot dua t’i bëj dhuratë vetes

0
76

Nga Katerina Marku

Para dy ditësh kalova pranë një dyqani lulesh dhe më tërhoqi vëmendjen një vajzë që i tha shitëses: “Sot dua t’i bëj dhuratë vetes një buqetë me lule!”, hapat e shpejtë pranë saj përfunduan dhe kështu nuk munda ta dëgjoja vazhdimin e bisedës, por ato fjalë më mbetën në mendje.

Ishte një lloj kënaqësie që ndjeva, një gëzim që nuk po arrija ta shpjegoja për një person që nuk e njihja.

Aty më lindi dhe ideja për të shkruar këtë që po lexon tani, pra rreth Femrës por mbi të gjitha rreth Pavarësisë së Femrës.

“Sot dua ti bëj dhuratë vetes një buqetë me lule!” fraza më e bukur që mund të dëgjoje nga një femër.. aty po kuptoja sa e plotësuar mund të ndihej ajo vajzë, sa e pavarur dhe komfort me atë që ajo është.

Për një femër, mund të jetë shumë e vështirë për të përqafuar pavarësinë. Kjo do të thotë të jesh në sfidë të vazhdueshme me atë çfarë të ofrohet përditë, si femër.
Qëndrimi i shoqërisë ndaj femrave të pavarura është konfuz, pasi ato janë perceptuar gjithmonë si qënie të brishta. Edhe në kohët tona në fillim u mësohet vajzave të reja në lidhje me rëndësinë e të menduarit për veten e tyre dhe për të fituar paratë e tyre, dhe kur ato fillojnë të krijojnë personalitetin e gruas së pavarur, të afta dhe me vetëbesim, shoqëria i refuzon ato. Madje duket sikur ka frikë prej tyre, dhe ajo frikë tenton ti “zvogëlojë” , ti shpërfillë apo dhe t’u vënë epitete si: “ të vetmuara”, “agresive”, “të rrezikshme” e pafund epitete të tjera.

Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të dorëzohemi nga ky fakt, përkundrazi ky është momenti që ne të tregojmë pikërisht të kundërtën. Është koha që ne kërkojmë pavarësinë tonë dhe përpiqemi për të si një shenjë besimi, suksesi dhe këmbënguljeje.

Të jesh e pavarur mendoj se është një proçes që kërkon kohë e mbi të gjitha të jesh në gjendje të njohësh mirë veten, të ndërtosh pikat e tua të forta dhe të dobëta.
Mbi të gjitha para se të flesh, ti arrin të kuptosh që personi i vetëm, i cili nuk do të të lërë kurrë je ti. I vetmi person që kontrollon lumturinë tënde je ti. Njerëz të tjerë në jetën tende, familja, miqtë, i dashuri, e dashura etj..do të të mbështesin në atë që je, do të të dhurojnë buzëqeshje, do të jenë shoqërues në jetën tënde, por ata kurrë nuk do të të ndihmojnë të zbulosh se kush je si një grua.

Ajo çfarë mendoj se është më e rëndësishmja është që ti duhet të dish se kush je dhe çfarë duhet të ofrosh, me besim, para se të mund të kontribuosh vërtet në çdo marrëdhënie të jetës.
E ky është momenti që ti kupton se sa e fortë je, e kjo forcë të jep vetëbesim dhe dinjitet në atë çfarë je dhe përfaqëson si femër. Por mbi të gjitha të jep lumturi e cila të çon pse jo, ti bësh vetes dhuratë dhe një buqetë me lule.

Uroj që nesër të dëgjoj një vajzë tjetër që porosit një buqetë me lule…për të.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here